Tirana East Gate vazhdon të forcojë rolin e tij jo vetëm si destinacioni tregtar më i madh në Shqipëri, por edhe si një hapësirë që promovon kulturën dhe talentet e reja. Përmes iniciativës artistike “MAKING”, nga 21 maji, TEG hap dyert për artistët e rinj dhe krijimet eksperimentale, duke i ofruar publikut një përvojë unike dhe interaktive me artin bashkëkohor.
I zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Arteve dhe me mbështetjen e Fondacionit Mane, projekti sjell në TEG kombinimin e artit tradicional dhe bashkëkohor, me fokus në shprehjen vizuale, eksperimentimin grafik dhe instalacionet tekstile. “MAKING” e transformon qendrën tregtare në një hapësirë dinamike krijuese, ku arti jo vetëm ekspozohet, por edhe përjetohet drejtpërdrejt nga publiku. Artistët pjesëmarrës, studentë të Universitetit të Arteve në Tiranë, do të realizojnë instalacione, punime grafike dhe krijime artistike tekstile në kohë reale, duke i ftuar vizitorët të ndjekin nga afër të gjithë procesin krijues: nga konceptimi dhe përgatitja, te aplikimi i ngjyrave, teknikat e printimit dhe finalizimi i veprave artistike.
Duke kombinuar metodat tradicionale të grafikës me artin vizual bashkëkohor dhe eksperimentimin tekstil, projekti krijon një dialog mes trashëgimisë artistike dhe kreativitetit modern. “MAKING” sjell një dimension edukativ dhe interaktiv që e prezanton artin jo vetëm si produkt final, por edhe si proces reflektimi, eksplorimi dhe komunikimi.
Kjo iniciativë pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të TEG për të mbështetur kulturën, zhvillimin e të rinjve dhe industritë kreative në Shqipëri. Duke hapur dyert e tij për zërat e rinj të artit, TEG kontribuon në krijimin e lidhjeve më të forta mes publikut dhe skenës artistike lokale, teksa inkurajon talentet e reja të ndajnë vizionin e tyre me një audiencë më të gjerë.
“Në TEG, ne kemi besuar gjithmonë se një qendër tregtare mund të jetë shumë më tepër sesa një destinacion blerjesh. Përmes ‘MAKING’, kemi dashur të krijojmë një hapësirë ku arti, kreativiteti dhe komuniteti bashkohen, duke u dhënë artistëve të rinj mundësinë të eksperimentojnë, të shprehen dhe të ndajnë punën e tyre me publikun në një mënyrë autentike dhe të drejtpërdrejtë. Arti ka fuqinë të krijojë emocione dhe lidhje reale mes njerëzve, dhe kjo është pikërisht ajo që duam të sjellim në TEG,” thotë Elda Hysenbelli, Menaxhere e Përgjithshme e TEG.
“MAKING” është vetëm një ndër projektet artistike të mbështetura nga TEG, i cili numëron disa ekspozita nga studentët në vitet e fundit. Ky aktivitet vjen gjithashtu në vazhdën e angazhimit të vazhdueshëm të Fondacionit Mane dhe BALFIN Group për të mbështetur artin, kulturën dhe fuqizimin e të rinjve përmes iniciativave që krijojnë ndikim pozitiv në komunitet. Përmes projekteve kulturore dhe sociale, BALFIN Group dhe Fondacioni Mane vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e një skene kreative dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri.
“MAKING” mund ta vizitoni në TEG prej datës 21 maj, pranë Hyrjes së Gjelbër.