Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) në Universitetin Politeknik të Tiranës, në bashkëpuni me shoqatën GO2 Albania, programin B4Students, si dhe me mbështetjen financiare të TEG dhe Fondacionit Mane, organizojnë konkursin e arkitekturës për studentët “Riciklo – Kreativ 2023” me temën e riciklimit të mbetjeve urbane dhe mjedisore. Në konkurs janë bërë pjesë studentë të universiteteve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët kanë konceptuar dhe krijuar një ndriçues për ambiente publike urbane apo dhe të interierit, të përbërë ekskluzivisht nga një material i ripërdorshëm. 18 veprat më të mira, vlerësuar nga juria, janë ekspozuar në TEG prej datës 1 tetor, për t’u promovuar tek vizitorët e TEG.

Ekspozimi i veprave në TEG ka si qëllim të ndërgjegjësojë qytetarët për raportin ndaj prodhimit të tepërt të mbetjeve urbane dhe ripërdorimin e tyre nëpërmjet transformimit në një koncept të qëndrueshëm dhe kreativ. Gjithashtu ai i shërben studentëve të arkitekturës për t’u aftësuar nëpërmjet aplikimit të koncepteve dhe promovuar profesionalisht, në një hapësirë që është simbol i mënyrës më të mirë të jetesës, e cila të frymëzon të ndjekësh trendet dhe të jesh i përgjegjshëm dhe miqësor ndaj mjedisit. Me këtë aktivitet krijues për riciklimin dhe nismat e tjera të ndërmarra, TEG është demostrim i ekonomisë rrethore dhe asaj të gjelbër, një mënyrë shumë praktike për të zhbllokuar vlerën e produkteve që hedhim duke u kthyer në një qendër frymëzimi dhe ndërgjegjësimi, krahas blerjeve dhe argëtimit. Ky aktivitet mbështetet financiarisht nga TEG në vijimësi të nismave të përgjegjësisë sociale, me fokus edukimin dhe mjedisin, një prioritet i Fondacionit Mane, nën kujdesin e veçantë të themeluesit, Samir Mane.

Pas suksesit të dy edicioneve, TEG është e lumtur të vlerësojë mundësinë e mbështetjes për vitin e ardhshëm, me qëllim për të konsoliduar një traditë, e cila promovon aftësitë e studentit dhe ndërgjegjëson qytetarët për mbrojtjen e mjedisit.

Juria e konkursit, bazuar edhe në votat e publikut, do të shpallë 5 projektet më të mira, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve që do të organizohet ditën e Premte, datë 13 korrik, ora 18.00 – 19.00 në mjediset e ekspozitës në TEG. Për fitusin/it e vendit të parë do të mundësohet shpërblim monetar 800 Euro, për 2 fitusit e vendin e dytë, shpërblim 500 Euro secili dhe për 2 fituesit e vendit të 3 tretë, 400 euro secili. Të gjithë finalistë do të pajisen me certifikatë vlerësimi.

Çmimi fitues i vendit të parë do të komunikohet nga përfaqësuesi i TEG, si sponsor i aktivitetit.