Tirana East Gate është porta më e madhe e Tiranës për trendet më të reja të botës së modës dhe dizajnit. Krahas emrave ndërkombëtarë të prodhimit industrial, TEG sjell edhe produktin artistik te të gjithë ne. TEG bashkëpunon me Fondacionin Mane për të mbështetur studentët e talentuar, duke u dhënë një dritare ku të shfaqin punën dhe krijimtarinë e tyre. Mjediset e qendrës kthehen në një galeri spontane arti, për të provomuar të rinjtë në të gjitha kanalet e komunikimit, duke rritur padyshim edhe vizibilitetin e tyre.
Ekspozita më e fundit që është vendosur në njërin nga hollet e TEG, titullohet “Layers” ose “Shtresimet” dhe është puna e studentes Blerta Isufi. Ajo është përzgjedhur si një ndër studentet më të talentuara të Universitetit të Arteve, për të shpalosur një koleksion frymëzues. Koncepti i ekspozitës qëndron te tradita, e ndarë në dy zanate të veçanta: poçeria ose qeramika, si dhe punimi i shajakut ose material veshjesh prej leshi të rrahur.
Artistja e re është rritur dhe jeton në qytetin mesdhetar të Kavajës, fare pranë portit detar të Durrësit, i njohur në lashtësi si Epidamnos. Ndikimet e origjinës së saj ndjehen pa dyshim edhe në veprat e ekspozuara, ku Isufi paraqet një dosje kërkimore të frymëzuar e krijuar duke përdorur një teknikë tradicionale, shumë të zhvilluar në Shqipëri. Siç e shpjegon vetë ajo: “Zgjodha këtë teknikë sepse është bërë nga një material natyral si argjila, një pëlhurë e formuar nga përzierja e fibrave natyrale. Formimin e vazove nga toka ku kam lindur e lidh me natyrën e diçkaje të punuar me dorë, nëpërmjet një teknike që dua ta krijoj vetë.”
Në një takim të hapur me studentët e Universitetit të Arteve dhe artisten Blerta Isufi, u përshëndet iniciativa e TEG dhe puna e palodhur e pegadogëve për të inkurajuar talentet e reja. Drejtoresha Ekzekutive e TEG, Elda Hysenbelli, u shpreh për këtë projekt: “TEG është një qendër që mirëpret artin, dhe bashkëpunime të tilla e shndërrojnë në një hapësirë kreative për të rinjtë, duke u dhënë studentëve dhe vizitorëve mundësinë e një përvoje të re artistike”.
TEG dhe Fondacioni Mane kanë bashkëpunuar për promovimin e talenteve të reja dhe zhvillimin e tyre akademik dhe profesional. Për të gjithë dashamirësit e artit dhe krijimtarisë, punimet janë ekspozuar në mjediset e TEG për t’u vizituar deri më 23 mars 2024.