Në 2005, hapja e QTU, qendrës së parë tregtare në Shqipëri, ndryshoi njëherë e mirë përvojën e blerjeve por edhe të argëtimit nën një çati për konsumatorin shqiptar, duke hedhur dritë njëherazi mbi një industri të re dhe të pazbuluar në vend, atë të menaxhimit të objekteve (pasurive të paluajtshme) komerciale. 19 vite më vonë, kompania që qëndron pas menaxhimit të QTU, por gjithashtu TEG, Tirana Logistic Park, Rolling Hills Luxury Residences, shënon një tjetër momentum, atë të hapjes së Galeria by TEG, destinacionit të vetëm bregdetar të blerjeve dhe argëtimit në jug të Shqipërisë, duke sjellë ndryshim radikal përtej industrisë.
Pioneri në fjalë është ACREM, pjesë e Grupit BALFIN, me ekspertizë në menaxhimin e qendrave tregtare, objekteve rezidenciale, parqeve logjistike dhe aseteve të tjera të paluajtshme. Për markat dhe bizneset, qofshin ato vendase apo ndërkombëtare, ACREM ofron një sërë shërbimesh, që nga konsulenca financiare dhe projektimi, e deri te marketimi dhe menaxhimi. Ndërsa për konsumatorin, vizitorin apo rezidentin, ACREM ka sjellë vazhdimisht përvoja të reja, duke u siguruar që ta bëjë këtë i pari dhe më së miri.
Është një vështrim objektiv i historikut të kompanisë që na vë përballë këtij fakti. ACREM u themelua për hir të nevojave të menaxhimit të QTU, që në fillime krijoi industrinë dhe sfidoi rrugëtimin e konsumatorit. Më tej ngriti TEG (2011), qendrën tregtare më të madhe në vend, që ndër të tjera është kthyer në një shembull të praktikave të qendrushmërisë, si riciklimi apo prodhimi i energjisë nëpërmjet paneleve diellore, madje shpesh edhe me iniciativa artistike në këtë drejtim. Rolling Hills Luxury Residences (2009) ishte i pari komunitet ekskluziv i vilave elegante. Ndërsa Tirana Logistic Park (2013), zbaton dhe operon sipas standardeve ndërkombëtare në sektorin e logjistikës në Shqipëri. Në më pak se 10 vite aktivitet, ACREM numëroi 4 projekte të suksesshme që, ose janë të parat e llojit të tyre, ose kanë përmirësuar ndjeshëm standardin e industrisë.
Dukshëm ka ardhur momenti për hapin tjetër të madh për ACREM. Galeria by TEG shënon një kthesë të rëndësishmë në industrinë e menaxhimit të objekteve komerciale. Bëhet fjalë për një “derivat” bregdetar të TEG dhe një destinacion brenda destinacionit.Galeria by TEG do të jetë e vendosur në Green Coast, duke e shndërruar atë në portën e blerjeve, gastronomisë dhe argëtimit për jugun e Shqipërisë dhe më gjerë.
ACREM ka bërë të ditur se, ngjashëm me homologun e saj në Tiranë, ajo do të përfshijë një portofol të larmishëm subjektesh, nga supermarketi dhe pajisjet elektronike, deri te veshjet e emrave prestigjiozë, bare dhe restorante, si edhe shërbime si Exchange, ATM 24/7, agjensi shitjeje të pasurive të paluajtshme etj.
E pyetur për pritshmëritë e projektit, Drejtoresha Ekzekutive e ACREM, Elda Hysenbelli, u shpreh: “Ne synojmë të transformojmë përvojën e blerjes dhe shërbimin për të gjithë klientët vendas dhe turistët e huaj që pritet të vizitojnë vendin tonë. Synimi ynë afatgjatë është të kthejmë në destinacion qendrën tregtare Galeria by TEG, jo vetëm gjatë sezonit turistik por përgjatë gjithë vitit.”
Ky investim prej 13 milion eurosh është pjesë integrale e Green Coast, investimit më të madh turistik në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit në rajon, me vlerë mbi 1 miliard euro. Vlen për t’u përmendur se Galeria by TEG pritet të rrisë ndjeshëm vizitat në jugun e Shqipërisë dhe ta pozicionojë lartë në hartën turistike të rajonit, me Green Coast që tashmë ofron të njëjtin standard të infrastrukturës komerciale si të Porto Novi apo Porto Montenegro në Malin e Zi apo edhe Costa Navarino në Greqi, aset që i kishte munguar derimëtani bredgetit tonë.
Galeria by TEG vjen 13 vite pas hapjes së simotrës TEG. Nuk na mbetet tjetër veçse të besojmë plotësisht që projekti-risi, përveçse një investim i mirëmenduar, është i destinuar të ketë një efekt domino në perceptimin e konsumatorëve, industrinë e qendrave tregtare, sezonin turistik dhe ekonominë vendase.