Një hapje shkallë-shkallë e qendrave tregtare duke filluar nga data 11 Maj sipas vendimit të qeverisë, është një vendim që i vjen në ndihmë konsumatorit, ndihmon punësimin, pasi shmanget falimentimi i bizneseve dhe ndihmon vetë shtetin, pasi dyqane të mbyllura do të thotë më pak kontribute për buxhetin e shtetit dhe më pak investime publike për qytetarët.
Sipas urdhërit të qeverisë qendrat tregtare do të fillojnë hapjen graduale nga data 11 Maj 2020. Orari i operimit do të jetë i reduktuar sipas udhëzimit të qeverisë i cili pritet të dalë këto ditë.
Masat e reja të sigurisë në to do të jenë mjaft strikte. Ndër to parashikohet:
- Kalimi te skaneri i matjes së temperaturës në hyrjet e qendrës;
- Mbajtja e maskave mbrojtëse dhe dorezave;
- Ruajtja e distancës së sigurisë;
- Zbatimi i protokollit dhe udhëzimeve të afishuara në çdo ambient të qendrës.
Mariola Radovani, Drejtore Ekzekutive e kompanisë, citon:
“TEG dhe QTU edhe më parë kanë patur në fuqi një serë masash dhe protokollesh për higjienën dhe ruajtjen e shëndetit të vizitorëve dhe punonjësve. Ndërsa me përhapjen e COVID-19, Qendrat Tregtare kanë shtuar masat dhe kanë zhvilluar protokolle edhe më të detajuara. Këto masa janë paramenduar që t’i sigurojnë shendetin klientëve dhe stafit që punon në qendrat tregtare. Zbatimin e protokolleve të sigurisë shendetësore e garantojnë/ndihmojnë në zbatim infrastruktura e ngritur tashmë prej kohësh. Qendrat tregtare kanë të gjithë infrastrukturën e gatshme të mirëmbajtjes, pastrimit dhe higjienës dhe respektimit të standardeve për sigurinë shëndetësore.”
Por, si do të veprojnë stafet në çdo dyqan lidhur me sigurinë e tyre dhe të të tjerevë?
Mariola Radovani, shpjegon si më poshtë:
“Ndër masat e marra mund të përmendim: Zbatimi i protokollit dhe udhëzimeve të ministrisë; Pastrim i shpeshtë dhe dezinfektim i njësive; Punonjësit duhet të mbajnë maska në çdo kohë dhe u kerkohet të plotesojnë përditë një pyetesor mbi shendetin; Monitorim i vazhdueshëm i numrit të blerësve në dyqane dhe ofrimi i ndihmës për të ruajtur hapësirën e nevojshme midis individëve ose grupeve familjare gjatë blerjes ose pritjes në radhë; Dyqanet të kenë dezinfektantë për duart dhe të dezinfektojnë vazhdimisht hapësirat e brendshme; Do të nxitet pagesa me karta krediti; Vendosja e sinjalistikës për ruajtjen e distancave para hyrjes së dyqaneve. Në TEG dhe QTU janë vendosur postera informues për masat që duhet te ndiqen nga vizitorët. Për të njëjtin qëllim do të përdorim edhe qendrën e zërit”.
Si do të ruhet distanca dhe mos përqendrimi i njerëzve në pak vende?
Ndër masat për Menaxhimin e turmave, mund të përmenden:
- Kufizimi dhe kontrolli i hyrjeve dhe daljeve nga qendra tregtare;
- Perdorimi vetëm i transportit privat, edhe ky duke ndjekur udhëzimet e Ministrisë;
- Blerësit do të ridrejtohen përkohësisht në hyrjet kryesore;
- Ulja e kapacitetit operativ në kioska në jo më shumë se një person për 16 m2 hapësire të shfrytezueshme;
- Vendosja e sinjalistikës për ruajtjen e distancave para hyrjes së dyqaneve;
- Përdorja e vizualeve për të kujtuar nevojën e ruajtjes së distancës sociale;
- Ndalimi përdorimit të uleseve publike (stolat);
Hapsirat që do të vijojnë të qëndrojnë mbyllur akoma janë zonat per fëmijët, baret, kafenetë, restorantet dhe kinematë. Gjithashtu nuk do të organizohen aktivitete brenda ambienteve të qendrave për të shmangur grumbullimin e shumë njerëzve.