Mbetjet nuk janë fundi. Janë fillimi i një ideje të re!
Nën këtë filozofi, studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut u përballën me një sfidë krijuese: ndërtimin e ndriçuesve urbanë nga materiale të ricikluara – objekte që nuk japin vetëm dritë fizike, por ndriçojnë edhe me ide, duke hapur rrugën drejt një të ardhmeje më të përgjegjshme dhe më të bukur për të gjithë.
Ky projekt, tashmë me karakter ndërkombëtar, u organizua nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës i Universitetit Politeknik të Tiranës, në bashkëpunim me B4Students, TEG-un dhe me mbështetjen e Fondacionit Mane – si pjesë e angazhimit të përbashkët për të mbështetur edukimin, krijimtarinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vendin tonë.
Në vijim të misionit të tij për të mbështetur studentët dhe talentet e reja, TEG u krijoi të rinjve mundësinë të prezantojnë veprat e tyre përpara publikut, duke e kthyer qendrën tregtare në një hapësirë të hapur për art, krijimtari dhe inovacion.
Gjatë muajit tetor, mijëra vizitorë eksploruan instalacionet e ekspozuara pranë hyrjes së gjelbër të TEG-ut, ndërsa mbi 2,000 vota nga publiku u dhanë përmes QR code-ve të vendosura pranë çdo vepre, duke i bërë vizitorët pjesë aktive të vlerësimit.
Ky edicion mblodhi studentë, profesorë dhe përfaqësues të institucioneve partnere, në një atmosferë që ndërthurte artin, bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin për ripërdorimin e burimeve natyrore.
Drejtoresha e Marketingut në ACREM, Joana Korimi, u shpreh:
“Këto projekte nuk janë thjesht evente, por janë një udhëtim i bukur me kurajon për të sfiduar mënyrat tradicionale dhe për të ndërtuar një kulturë të re – kulturën e qëndrueshmërisë.
Çdo vit kemi parë të lindin ide të reja, të guximshme dhe shumë të rëndësishme. Vit pas viti, këto krijime kanë qenë si një gur i vogël në mozaikun e një vizioni më të madh – vizionit për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, një shoqëri më të përgjegjshme ndaj mjedisit.
Kjo përcjell dhe angazhimet tona si qender. Në një botë që përballet çdo ditë me sfida të ndotjes dhe konsumit të pakufishëm, ne kontribuojmë sadopak për një të ardhme më të mirë. Ndaj ne do të vijojmë të angazhohemi në këtë drejtim, duke mbështetur iniciativa të ngjashme dhe në favor të jetesës sonë të përbashkët.
Me çdo edicion të ri, Riciklo – Kreativ vijon të zgjerohet dhe të forcojë rolin e tij si një platformë rajonale ku arti, edukimi dhe qëndrueshmëria bashkohen.
TEG konfirmon sërish pozicionin e tij si një qendër lider, si në atë që ofron, ashtu edhe në iniciativat që ndërmerr. TEG menaxhohet nga ACREM dhe është pjesë e BALFIN Group.















