Si ka qenë ecuria e aktivitetit të dy qendrave tregtare TEG dhe QTU? Cila kryeson?

Të dyja qendrat tregtare pjesë e Grupit Balfin TEG dhe QTU, kanë patur një performancë të shkëlqyer për vitin që shkoi. Duke ju referuar statistikave të numrit të vizitorëve që frekuentojnë TEG dhe QTU, si edhe analizave të vlerësimit të performancës, ecuria e të dy qendrave tregtare rezulton me një trend shumë pozitiv dhe me rritje nga viti në viti.

Numri total i vizitorëve gjatë 2015 arriti në 9,582,534 vizitorë për TEG, duke kulmuar në muajin Dhjetor me një numër vizitorësh prej 1,024,192 dhe për QTU 7,151,314 e cila po ashtu kishte si muajin më të mirë muajin Dhjetor me 841,262 vizitorë.

Pritshmëritë për vitin 2016 ndërkohë që jemi ne mes të vitit janë më të larta. Kjo demonstrohet edhe nga shifrat e muajve të parë të vitit, ku vihet re një rritje e ndjeshme duke parë që deri në fund të Marsit plot 2,211,534 vizitorë kanë vizituar TEG, dhe 1,917,288 vizitorë QTU.
QTU, si qendra e parë tregtare në Shqipëri vazhdon të jetë destinacion për një numër relativisht të lartë të shqiptarëve. TEG duke qenë qendra tregtare më e madhe, ofron larmishmëri blerjesh dhe aktivitetesh.

TEG dhe QTU kanë krijuar tashmë një kulturë në të bërit shopping dhe janë konsoliduar si destinacione ku ofrohen produktet dhe shërbimet me cilësi dhe standarte të larta.

A ka pasur krizë konsumi, sikurse “ankohen” shqiptarët?

Si komania me eksperiencën më të madhe në vend në drejtim të zhvillimit dhe menaxhimit të Qendrave Tregtare, mbështetur dhe nga fuqia e Grupit dhe partnerëve tanë, ne jemi afër klientëve çdo ditë duke u përpjekur maksimlaisht që të ofrojmë produktet më të mira me çmimin e duhur, e kombinuar kjo edhe me një standart tejet të lartë dhe cilësi shërbimi. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi më të gjitha katergorite e biznesve dhe firmave vendase apo ndërkombëtare që gjenden në qendrat tona si në TEG dhe QTU nuk kemi ndjerë krizë konsumi. Kjo duket qartë edhe nga shifrat e paraqitura më sipër ku ky lloj biznesi ka njohur vetëm rritje.
Një element i rëndësishëm për t’u përmendur është se përgjatë 2015 dhe 6 mujorit të 2016 kemi pasur kontakte të vazhdueshme me investitore dhe marka ndërkombëtare të mirënjohura të retailit të cilët kanë vlerësuar dhe konsideruar tregun shqiptar si potencial. Aktualisht jemi në fazën e negociatave për të sjellë pranë qendrave tona marka të reja ndërkombëtare mjaft të njohura.

Ku kanalizohen më tepër kërkesat e konsumatorëve (sektorët, frekuentimi etj.)

Menaxhimi i qendrave tregtare kërkon trajnim dhe përmirësim shërbimesh në mënyrë të vazhdueshme. Sot, qendrat tregtare po përpiqen ti ofrojnë konsumatorit eksperiencën “all in one’ të gjitha në një – nisur nga plotësimi i nevojave ditore me produkte ushiqmore dhe të konsumit, pajisje elektrike dhe elektronike, në kënaqjen e tyre në drejtim të modës (me produktet e veshjeve), çlodhjes dhe zbavitjes.

Kërkesat e konsumatorëve janë të larmishme ashtu siç është edhe shumëllojshmëria e shërbimeve dhe produkteve që ne ofrojmë në qendrat tona tregtare.

Ndryshimi i stilit të jetës së shqiptarëve të cilët gjithnjë e më shumë po përqendrohen pranë qendrave tregtare është reflektuar edhe në mënyrën se si ne servirim shërbimet dhe produktet në TEG dhe QTU. Tashmë të dyja qendrat preferohen jo vetëm si destinacion për blerje cilësore njëherësh nën një çati, por edhe si destinacion argëtimi, ku fëmijë dhe të rritur kalojnë kohën e lirë, shijojnë një dreke apo darkë të shijshme, frekuentojnë kinemanë, luajnë në këndet dhe parqet e fëmijëve etj. Njëkohësisht, qendrat tregtare ofrojnë dhe komoditetin e pastërtisë, sigurisë, komfortin e parkimit etj.
Kjo qasje e re e konsumatorëve për të shpenzuar kohën e lirë, ku krahas blerjeve është rritur interesi për argëtim në qendrat tregtare po vijon me një trend në rritje. Megjithatë blerjet kryesojnë dhe secili sektor ka peshën e vet specifike në kërkesat e klientëve, por mund të theksojmë hipermarketet, veshjet dhe produkte elektroshtëpiake.

Çfarë mjetesh janë përdorur për të “luftuar” konkurrencën? A e ndieni atë në këtë treg thuajse të ngopur me qendra?

TEG dhe QTU janë kthyer tashmë në qendra komerciale dhe sociale për konsumatorët shqiptarë si dhe për vizitorët nga rajoni duke ofruar një larmi dyqanesh, mundësi të shumta zbvaitjesh për fëmijët dhe të rriturit, shumëllojshmëri ushqimesh etj. Nisur dhe nga lloji i audiences secila nga qendrat zhvillon një plan të personalizuar marketingu duke u përpjekur për të tërhequr vizitorë të gjitha moshave dhe profileve. Në këtë mënyrë nëpërmjet këtij procesi ne kemi arritur që të plotësojmë nevojat dhe dëshirat e konsumatorëve pavarësisht moshës, gjinisë, statusit financiar apo mënyres së jetesës.
Në dyqanet e qendrave tona vizitorët mund të gjejnë marka të ndryshme ndërkombëtare si Grupi Inditex me markat e njohura si Zara, Massimo Dutti, Pull and Bear, Bershka, Strativarious, LC Waikiki, KFC, De Facto, Neptun, Jysk, Carrefour, Mango, Okaidi, Jumbo, Spreingfield, Cineplexx që nuk i gjejnë në qendrat e tjera tregtare në vend etj.
Të dyja qendrat mbeten më të frekuentuarat në Shqipëri, duke shënuar një rritje në masën 25% të vizitorëve për gjashtë mujorin e parë të 2016, krahasuar me vitin e kaluar. Pozicionimet e favorshme dhe lehtësisht të arritshme për të gjithë shqiptarët, të të dyja qendrave tregtare, përgjigjja e kërkesave të konsumatorëve duke i ofruar një përvojë të gjithanshme, ambjentet komode për çdo grupmoshë, zhvillimi aktiviteteve të reja, përqëndrimi i vazhdueshëm tek shërbimi i ofruar janë pikat tona të forta.

Pavarësisht faktit që ne ofrojmë çdo gjë të mundshme dhe të nevojshme për një ditë të këndshme në qendrat tona, përsëri duke patur në vëmendje argëtimin e klientëve dhe vizitorëve tanë organizojmë evente tematike artistike dhe kulturore për të gjitha moshat me qëllim ofrimin e një eksperience të paharrueshme.

Sipas eksperiencës suaj të gjatë, cilat gjykoni se janë problematikat kryesore të sektorit të retail në Shqipëri?

Sektori i retail (shitjeve me pakice) në Shqipëri është një sektor relativisht i ri në raport me vendet e zhvilluara Europiane, megjithatë mund të them që vetë biznesi i retail dhe qendrave tregtare në Shqipëri ka pasur një rritje konstante, e cila vihet re në investimet në këtë drejtim si dhe nga prezenca e investitorëve ndërkombëtarë të retailit e cila shihet shumë qartë në qëndrat tona tregtare si në TEG ashtu dhe në QTU apo dhe në qendra të tjera që nuk janë pjesë e Grupit Balfin.
Grupi Balfin ka qenë gjithmonë revolucionar dhe avangard në sipërmarrje të retailit, por vështirësitë që hasen në këtë treg mund të përmendim informalitetin e tregut, I cili paraqitet si një problem mjaft shqetësues në këtë sektor. Informaliteti ndikon në përgjithësi në klimën e biznesit në Shqipëri dhe kryesisht në konkurencën e pandershme.

ACREM është kompania që menaxhon dy qendrat tregtare TEG dhe QTU dhe njëkohësisht është pjesë e Grupit Balfin, Grupit më të madh të investimeve në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në rajon.